Manastiri i Ardenicës
I rrethuar nga mure të larta guri, manastiri përbën një kompleks unik arkitektonik dhe historik, i cili ndër shekuj ka qenë qendër e rëndësishme e jetës shpirtërore, kulturore dhe arsimore të vendit.
Mbi portën kryesore të hyrjes gjendet data 1 maj 1477, e cila tradicionalisht konsiderohet si data e ndërtimit të manastirit. Kisha kryesore i kushtohet “Lindjes së Shën Marisë” dhe kremton festën e saj më 8 shtator. Emri Ardenicë lidhet me burimet ujore, ndërsa studiuesi i njohur Theofan Popa, në veprën e tij Mbishkrime të Kishave të Shqipërisë, thekson se fjala rrjedh nga greqishtja dhe ka kuptimin “freksuese” ose “freskuese”, duke simbolizuar Shën Mërinë, e cila me lutjet e saj freskon dhe çliron besimtarët nga barra e mëkateve.
Hyrja në manastir realizohet nga ana lindore përmes një porte me qemer, e cila të çon në një oborr të gjerë të shtruar me kalldrëm. Godinat përreth formojnë një ansambël harmonik me hajate dykatëshe që dikur shërbenin si qeli për murgjit. Kati përdhes përdorej si hambar për ruajtjen e prodhimeve bujqësore, ndërsa në mjediset e manastirit funksiononte edhe një mulli për prodhimin e vajit të ullirit, dëshmi e jetës ekonomike që zhvillohej brenda kompleksit.
Historia e manastirit fillon shumë më herët se ndërtimet që shohim sot. Zanafilla e tij lidhet me shekullin X, kur u ngrit kishëza e vogël e “Shën Triadhës”, me përmasa të brendshme 5.15 x 3.06 metra. Në shekujt XIII–XIV, gjatë periudhës së Despotatit të Epirit, kompleksi mori tiparet e një manastiri të mirëfilltë, ndërsa kisha e “Lindjes së Hyjlindëses” mendohet të ketë fillesat e saj në shekujt XV–XVI.
Gjatë historisë së tij, manastiri ka kaluar disa faza ndërtimi, rindërtimi dhe restaurimi. Burime historike sugjerojnë se në fund të shekullit XVII ai mund të jetë dëmtuar ose shkatërruar pjesërisht. Forma që ruhet sot i përket kryesisht rindërtimit të madh të shekullit XVIII, kur u restauruan kisha e “Lindjes së Hyjlindëses”, kishëza e “Shën Triadhës” dhe një sërë godinash të tjera të kompleksit.
Një mbishkrim i ruajtur në murin jugor të kishës së “Shën Triadhës” dëshmon se më 1 maj 1778 u rindërtuan nga themelet godinat përreth manastirit, gjatë kohës së peshkopit Joasaf të Beratit dhe nën drejtimin e igumenëve dhe murgjve të manastirit. Një mbishkrim tjetër përmend rindërtime të mëvonshme, të realizuara nga mjeshtër ndërtues të ardhur nga Dibra, duke dëshmuar për traditën e njohur të ndërtuesve dibranë në monumentet e kultit në Shqipëri.
Një figurë e rëndësishme e historisë së manastirit është Nektar Tërpo Voskopojari, i cili shërbeu si igumen i Ardenicës në fillim të shekullit XVIII. Në vitin 1731 ai la në manastir një gravurë të veçantë që paraqet Shën Mërinë me Krishtin Fëmijë. Në të është shkruar një lutje e shkurtër në katër gjuhë – greqisht, latinisht, arumanisht dhe shqip – duke dëshmuar për karakterin shumëgjuhësh dhe kulturën e pasur të kohës. Teksti shqip, i shkruar me alfabet grek, përbën një dëshmi me vlerë për historinë e hershme të gjuhës shqipe.
Përgjatë shekujve XIX dhe XX, manastiri vijoi të luante një rol të rëndësishëm në jetën fetare dhe shoqërore të krahinës. Ndër administratorët e tij përmendet Lluc Bozdo, i cili ndërmori restaurimin e qelive dhe dhomave të dëmtuara nga zjarri. Një mbishkrim tjetër tregon se në vitin 1905 Ikonom Kristo Leshi ndërtoi dhe rinovoi një pjesë të godinave që rrethojnë manastirin.
Një kapitull i rëndësishëm në historinë e tij lidhet me arsimin kombëtar. Në vitin 1913, në ambientet e manastirit u hap shkolla e parë shqipe e zonës, ku dha mësim patrioti dhe arsimtari Ikonom Kozma Dhima. Në vitet 1920 kompleksi shërbeu për një periudhë të shkurtër si internat dhe konvikt për nxënësit.
Në vitin 1925, gjatë kohës kur kujdestar i manastirit ishte Llaz Bozo, u ndërtua kambanorja që shquhet edhe sot si pjesë e siluetës karakteristike të kompleksit. Për shkak të mungesës së burimeve natyrore të ujit, manastiri mbështetej në një sistem të zgjuar sterash për mbledhjen dhe ruajtjen e ujërave të shiut. Katër stërat e ruajtura deri në ditët tona dëshmojnë për organizimin e jetës së përditshme brenda mureve të tij.
Kompleksi i Manastirit të “Lindjes së Shën Marisë” shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 2,500 metrash katrorë. Në periudha të ndryshme historike ai zotëronte prona të konsiderueshme, përfshirë toka bujqësore, kullota, livadhe, korije, pyje dhe mbi një mijë rrënjë ullinjsh, të cilat siguronin bazën ekonomike për veprimtarinë e tij.
Një tjetër element me rëndësi është hajati monumental i kishës, i ndërtuar në shkurt të vitit 1754, fakt që vërtetohet nga një mbishkrim i gdhendur mbi harkun e parë të kolonadës perëndimore.
Sot, Manastiri i Ardenicës mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë historike, fetare dhe kulturore të Shqipërisë. Përveç vlerave të tij arkitektonike dhe artistike, ai ruan edhe një traditë të lidhur ngushtë me historinë kombëtare. Sipas traditës, në këtë vend u bekua martesa e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me Donika Arianitin. Në nder të kësaj ngjarjeje, vitet e fundit është rikthyer si festë lokale ceremonia përkujtimore e kurorëzimit të tyre, duke e bërë Ardenicën jo vetëm një vend pelegrinazhi fetar, por edhe një simbol të rëndësishëm të kujtesës historike shqiptare.