Muzeu Historik
Projekti parashikonte një ndërtesë me arkitekturë bashkëkohore, të veçantë nga objektet e tjera të qytetit, e cila do të pasqyronte historinë e Lushnjës që nga lashtësia deri në vitet ’80. Në përmbajtjen e tij muzeale do të zinte vend një hapësirë e posaçme kushtuar Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si dhe sektorë të veçantë për Arkeologjinë, Reformën Agrare, Arsimin dhe Luftën kundër Analfabetizmit, Shëndetësinë, Etnografinë dhe fusha të tjera me rëndësi historike e kulturore.
Gjithashtu, muzeu duhej të përmbushte standarde të larta shkencore dhe muzeologjike, pasi ndërtohej pas Muzeut Kombëtar në Tiranë dhe një sërë muzeve të tjerë të rëndësishëm në vend.
Pas disa vitesh pune dhe përgatitjesh, Muzeu Historik i Lushnjës u përurua zyrtarisht më 21 nëntor 1990.